Avioni i linjës Maltë-Catania (Itali), i nisur mëngjesin e djeshëm (ora 06:00) nga aeroporti i Luqa (Maltë) është detyruar të kthehet në bazë pak minuta pasi ishte ngritur në ajër. Shkak është bërë një pasagjere, e cila ka refuzuar të vendosë maskën gjatë udhëtimit edhe pse ekuipazhi i ka kërkuar disa herë që ta bëjë këtë gjë.

Bëhet fjalë për pasagjeren 24-vjeçare Freya Angeolova Moutafova, me nënshtetësi italiane, por që jeton në Bullgari. Ajo ka refuzuar ta vendosë maskën edhe kur ekuipazhi e ka kërcënuar se do ta dorëzojë në polici, pasi ky veprim i saj përbënte rrezik për pasagjerët e tjerë.

Kështu, pilotët e avionit janë rikthyer në aeroportin nga ku u nisën dhe e dorëzuan pasagjerie te forcat e rendit. Personi është dënuar me 6 muaj burg, pasi gjykatësja e ka paralajmëruar disa herë gjatë seancës “flash” se ka shkelur rregullat dhe se sjellja e saj nuk mund të tolerohet.