Duke nisur nga kjo e diel, në ekranin shqiptar do të rikthehet sërish festivali i Këngës Magjike, edicioni i 24-t.

Për shkak të pandemisë së covid-19 që preku të gjithë globin, pati një ndryshim në periudhë kohore, teksa edicioni i 23-të u transmetua gjatë pranverës.

Kështu, pas një shkëputje thuajse 1 vjeçare, programi do të rifillojë rrugëtimin e tij të ri nga e diela në Tv Klan.

Ky lajm u konfirmua nga vetë Ardit Gjebrea të dielën e 11 shtatorit në programin e tij ‘E diela Shqiptare’.

Ashtu sikurse edhe vitet e fundit, përveç këngëtarëve të njohur, pjesë e këtij festivali do të jenë edhe artistët e rinj që do të konkurojnë në kategorinë ‘New Artist’ e do të gjykohen nga një juri profesioniste.

Ditën e sotme, faqja zyrtare e Këngës Magjike ka zbuluar edhe emrat e kësaj jurie që do të jenë pesë këtë vit, duke nisur nga Pirro Çako, Jonida Maliqi, Ema Andrea, Kozeta Kurti e Anxhela Faber, e cila është edhe emri surprizë i këtij edicioni.