Ky sezon pritet të jetë ‘një zjarr’ i vërtetë në media, me garën se cili televizion dhe cili program do të ketë audiencën më të lartë.

Kjo ‘luftë’ sigurisht prtet mes dy mediave të mëdha në vendin tonë, Top Channel dhe Tv Klan, që kanë nisur në fakt nga kjo e hënë, fillimisht me programet e mëngjesit dhe pasdites, si edhe emisionet respektive investigative.

Por shumë shpejt priten të nisin edhe programet e humorit, por edhe ato të kërcimit. ‘Dancing With The Stars’ do të nisë nga muaji tetor në Top Channel, nën moderimin e Bora Zemanit, ndërsa ‘Dance With Me’ pritet të nisë së shpejti në TV Klan, nën drejtimin e Alketa Vejsiut.

Në ‘Dancing With The Stars’, faqja zyrtare e programit ka zbuluar disa prej personazheve që do të jenë konkurentë, teksa edhe Kledi Kadiu, balerini i njohur ka konfirmuar pjesëmarrjen si anëtar jurie.

Nga ana tjetër, faqja zyrtare e Tv Klan ka konfirmuar sot se pjesë e panelit në programin e kërcimit në ‘Dance With Me’ do të jetë Klaudia Pepa. ”Por edicioni i tetë i këtij programi do të rikthejë në Shqipëri balerinën e famshme shqiptare, Klaudia Pepa, pas disa sukseseve dhe projekteve të reja në Itali” – shkruhet në faqen zyrtare të Tv Klan

Balerina e njohur rikthehet në Shqipëri pas disa vitesh që është larguar nga vendi dhe do të sfidojë veten në këtë pozicion tashmë.

Nuk dihet nëse pjesë e jurisë do të jetë edhe ish-partneri i saj, Albi Nako. Na mbetet ta shohim!