Ju e njihni Calhanoglu, atë që nuk e kuptonte nëse ishte një “10” apo një “8 e gjysmë”. Ai shpesh e bënte “San Siro” të murmuriste, megjithatë të gjithë trajnerët e aktivizuan pak a shumë rregullisht. Misteri i kaq shumë besimi të pakushtëzuar ndaj tij është zbuluar në muajt e fundit. Nga rinisja pas bllokimit të Covid-19 (në mars 2020) e tutje, Milani ka gjetur strukturën e vet dhe turku është gjithnjë e më shumë protagonist. Më pak gola mbase (fillimi i sezonit 2020-2021, nga këndvështrimi i golave ​​nuk ishte më i miri), por një udhëheqje e fortë.

Kur Ibra është në fushë, kombinimi me Calhanoglu është i lehtë për të. Sidoqoftë, gjatë mungesës së suedezit, Calhanoglu mori drejtimin e ekipit. E bëri këtë edhe në Kupën e Italisë, duke u dhënë shokëve të tij një tjetër derbi me Interin. Ai nuk është më një lojtar i pacaktuar, por një njeri kryesor në këtë vazhdimësi kuqezi dhe me të drejtë ambicioz, pavarësisht disa rrëzimeve dhe pak vuajtjeve. Për të fituar duhet të dini të vuani, Ibrahimovic duhet ta ketë përsëritur shpesh këtë gjë në “bandën” e udhëhequr nga Pioli.

“Një talent pa përpjekje është një talent i humbur”. Kjo njihet si një nga maksimat e gjigantit suedez. Dhe është një koncept shumë i qartë për mikun e tij, Hakan, i cili vrapon shumë, por demonstron edhe aftësi në lëvizjet gjeometrike të nevojshme, që e bëjnë lojtar të shkëlqyeshëm. Me rritjen e ndikimit dhe rëndësisë së një futbollisti, shtohen edhe ambiciet për pagën. Përballja midis Calhanoglu, që do t’i skadojë kontrata verën e këtij viti, dhe menaxherëve të Milanit ka qenë e hapur prej disa kohësh.

Takimi i djeshëm me agjentin e turkut, Gordon Stipic, dërgoi ujë në “mullirin” e marrëveshjes, por nuk ishte i mjaftueshëm për të kapërcyer hendekun midis ofertës dhe kërkesës. Paolo Maldini dhe Ricky Massara janë rritur deri në 4 milionë euro, ndërsa agjenti i Calhanoglu nuk ulet poshtë 5 milionëve. Diçka ka lëvizur nga pozicionet e fundvitit 2020. Në mes ka bonuse të pashmangshme dhe negociatat po vazhdojnë në këtë front.

A pranon Hakan të zbresë nga kërkesat? Deri në çfarë mase? Në fund të fundit, klubi ka treguar vullnet të mirë, duke rritur ofertën e tij. Edhe lojtari po e mban fjalën e tij për të mos kërkuar alternative të tjera përreth. Klima është konstruktive, aq sa drejtuesit kanë caktuar një takim me Stipic në fillim të javës tjetër. Nuk ka ndonjë urgjencë, por ekziston ideja për të përfunduar operacionin brenda një kohe të arsyeshme. Era është e favorshme dhe prova vjen nga qëndrimet e lojtarit, gjithmonë proaktiv edhe në rrjetet sociale.