Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Rita Ora do të rikthehet të këndojë sërish në Shqipëri. Pak ditë pas festivalit “Sunny Hill” të Dua Lipës, që do të mbahet në data 26-27-28 gusht, edhe Rita Ora do të vijë të performojë në Tiranë.

Edhe më herët ishte njoftuar që këngëtarja e shumë hiteve botërore do të vinte të këndonte në Shqipëri, ndërsa tashmë është konfirmuar zyrtarisht edhe data. Rita Ora do të këndojë në Tiranë më 6 shtator.

Ka qenë vetë Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të qytetit në Bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari që përmes një postimi në rrjete sociale ka konfirmuar praninë e Orës në Tiranë. Koncerti i saj është planifikuar të mbahet në qendër të qytetit, në sheshin “Skënderbej”.

Rita Ora vjen në Tiranë pas gati 8 vitesh, teksa hera e parë që ajo ka kënduar në Tiranë ka qenë me rastin e përvjetorit të 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa ka performuar sërish katër vite më parë në sheshin ‘’Skënderbej’’

Rita ka treguar se është shumë krenare për vendin e saj, duke e promovuar shpesh në rrjetet e saj sociale. Këtë ajo e tregon edhe me vizitat e saj në Tiranë.

Ora është një nga këngëtaret më të njohura shqiptare në botë, së bashku edhe me Dua Lipën dhe Bebe Rexhën. Vajzat shqiptare sjellin herë pas here këngë që kthehen në hite dhe këndohen nga publiku botëror.