Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora do të rikthehet të këndojë në Shqipëri më 6 shtator. Koncerti i Ritës do të mbahet në qendrën e kryeqytetit shqiptar, pikërisht në sheshin “Skënderbej”.

Lidhur me këtë koncert, ajo ka bërë një postim disa orë më parë, ku ka publikuar posterin zyrtar që konfirmon datën, orën dhe vendin e koncertit. Pak më parë ajo publikoi edhe disa video të shkurtra në Instastory, duke folur për mbi 16 milionë ndjekësit e saj në këtë rrjet social.

Rita Ora shprehet mjaft e emocionuar që do të rikthehet të performojë në Tiranë, teksa thekson se do të jetë falas, pasi ky koncert është për njerëzit dhe të gjithë do të jenë të mirëpritur. Gjithashtu ajo paralajmëron fansat se ka disa surpriza për ta që nuk do të donin t’i humbisnin.

“Përshëndetje të gjithëve. Po! Po rikthehem në Tiranë në 6 shtator. Jam shumë e emocionuar që të festojmë në qytetin e rinisë. Faleminderit Erion Veliaj për ftesën. Do festojmë falas. Kjo është për njerëzit, të gjithë janë të mirëpritur, të sjellim atmosferë të mirë, të kalojmë kohë të mirë. Kam disa surpriza për ju. Ju nuk do të dëshironit t’i humbisnit. Shihemi atje.”, tha Rita Ora në videot e publikuara në profilin e saj zyrtar në Instagram, teksa shtoi në shqip: “Ju dua shumë!”

Kjo nuk është hera e parë që Rita Ora vjen në Shqipëri, pasi më parë ka ardhur për disa vizita, por ka mbajtur edhe dy koncerte, një në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe i fundit ka qenë në 2018.