Grupi i njohur britanik Rolling Stones është rikthyer në skenë dhe këtë gjë e ka bërë në Milano, duke kënduar para fansave në stadiumin “San Siro”. Ky ishte koncerti i tyre i parë pa bateristin Charlie Watts, i ndarë nga jeta në gusht të vitit të kaluar.

Ky është turi ynë i parë pa Charlie dhe na mungon shumë”, tha Mick Jagger, këngëtari dhe ikona e grupit. Ndaj ky “show” nisi pikërisht me një dedikim për Watts.

Përpos kësaj, emocionet në skenën milaneze kanë qenë të mëdha për Rolling Stones, që dhuruan spektakël. Mick Jagger, 78 vjeç, vraponte në skenë si një 20-vjeçar dhe jo si një person që pak ditë më parë ishte infektuar me Covid-19.

Turi që Rolling Stones do të zhvillojë quhet “Sixty Tour” dhe në skenë ngjiten e këndon një grup ikonë, i pavdekshëm edhe pse përbëhet nga tri persona me moshë të thyer: Jagger 78 vjeç, Keith Richards (78 vjeç) dhe Ron Wood (75 vjeç).

Ata kënduan të gjitha këngët e tyre hit, si Street Fighting Man, Out of Time, Wild Horses, You Can’t Always Get What You Want”, Living in a Ghost Town, You Got the Silver, Sympathy for the Devil, Miss You, Start Me Up Paint it Black etj.

Mbi 60 mijë fansa ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur “live” koncertin dhe shijuar magjinë e notave të këngëve të Rolling Stones. Ata ndoqën koncertin edhe përmes 3 ekraneve të mëdha. Etapa e radhës më 25 qershor, në Londër.