Roger Ibanez ishte protagonisti negativ i derbit të luajtur të premten e kaluar. Dy gabimet në derbi ishin fatale për Romën. Shumë kritika, të pashmangshme, për performancën e brazilianit, i cili kishte bërë paraqitje të rëndësishme deri në ndeshjen kundër Lazio. Gjithashtu, shumë fyerje të turpshme mbërritën në rrjetet sociale, nën postimin që promovoi profilin e tij.

Disa ditë para ndeshjes kundër Lazio, Ibanez festoi rrumbullakimin e 100 mijë ndjekësve ndaj kishte vendosur të dhuronte një fanellë. Atë që do të vishte në derbi. Padyshim, pas derbit erdhën shumë komente ngacmimesh nga Lazio: “Roger do të më dhurosh fanellën?”, “Tani duhet të fshish postimin, pas gabimeve”, “Ibanez, me zemër bardhekaltër”. Shumë të tjerë përdorën fyerjet, sidomos “tifozët” e Romës, që nuk i kapërdinë dot dy gabimet e tij, të cilat i kushtuan shtrenjtë skuadrës verdhekuqe.

Shumë ofendime, madje edhe për familjen dhe për vajzën e tij të lindur një muaj më parë, por edhe shumë mesazhe mbështetjeje nga fansat, që kanë dënuar këto mesazhe sociale. Ibanez është detyruar që dje të kufizojë komentet nën fotot e tij, për të shmangur fyerjet e reja dhe për të lënë këtë moment krize të kalojë. Sidoqoftë, dashuria e shumicës së romanistëve është e ndjerë, Ibanez është gati t’i rifitojë tifozët dhe të kthejë menjëherë faqen.