“AS Roma njofton se Paulo Fonseca do të largohet nga klubi në fund të sezonit”. Kështu përfundon aventura e trajnerit portugez në krye të verdhekuqve. “Në emër të të gjithëve te AS Roma, ne dëshirojmë të falënderojmë Paulo Fonseca për punën e palodhur dhe udhëheqjen e treguar gjatë këtyre dy viteve”, – tha presidenti Dan Friedkin, duke zyrtarizuar lamtumirën e trajnerit.

Me shënimin e mëposhtëm, edhe Fonseca njoftoi mbylljen e bashkëpunimit në fund të këtij sezoni: “Në këto dy vite kemi përjetuar ulje dhe ngritje, por gjithmonë kam dhënë më të mirën time për këtë klub dhe për këtë qytet, i cili më ka mirëpritur shumë mirë. Dua të falënderoj të gjithë tifozët e Romës, njerëzit që punojnë me ne në Trigoria, lojtarët, ata që na kanë mbështetur në këtë rrugë, në veçanti Dan dhe Ryan Friedkin për suportin e tyre të vazhdueshëm që kur arritën, dhe Tiago Pinto, një profesionist i shkëlqyeshëm , të cilit i uroj më të mirën në rrugën e tij në këtë klub. Kemi ende lojëra shumë të rëndësishme për të fituar këtë sezon dhe do të japim më të mirën tonë si gjithmonë. Faleminderit Romë”.

“Paulo dhe stafi i tij stërvitor do të vazhdojnë ta drejtojnë ekipin e parë deri në fund të sezonit aktual”, – specifikoi përfundimisht Roma në deklaratë.