Është një prag historik, që po përjetohet nga Atalanta. Në fakt, ekipi zikaltër do të përballet me Real Madridin, të mërkurën në mbrëmje, në një ndeshje të vlefshme për 1/8 finale të Champions League. Ky është padyshim një takim me një rëndësi të jashtëzakonshme për “Hyjneshën” e Serie A, e cila, duke pasur parasysh momentin që po përjeton, gjithashtu mund t’i lejojë vetes mundësinë për t’u përballur me madrilenët pa më të voglën frikë.

Cristian Romero është gjithashtu i vetëdijshëm për këtë, ndaj në një intervistë me faqen zyrtare të UEFA-s tha se ishte i bindur që Atalanta mund ta mposhtte Realin: “Padyshim që Reali është një klub me histori të shkëlqyer. Për momentin nuk është në formën më të mirë, por jemi të përqendruar vetëm te vetja. Ne besojmë se mund të fitojmë. Besojmë në veten tonë. Do të jenë dy ndeshje të shkëlqyera. Sigurisht që do të duhet të bëjmë paraqitje të shkëlqyeshme për të shkuar në çerekfinale, në kurriz të një kundërshtari kaq të fortë dhe prestigjioz. Do të jetë shumë e vështirë, por kemi besim në forcat tona. Do të vazhdojmë të ofrojmë futbollin tonë”.

Mes yjeve të Real Madridit është Sergio Ramos, një nga mbrojtësit më të mirë në botë: “Sergio Ramos, Matthijs de Ligt dhe Virgil van Dijk janë tre mbrojtësit më të mirë, tani për tani. Unë e kam ndjekur Ramos që kur isha i ri, sepse gjithmonë më ka pëlqyer të shikoja ndeshjet e Real Madridit, veçanërisht kur luante kundër Barcelonës, sepse Messi ishte gjithmonë në fushë. Sergio është padyshim një nga idhujt e mi”.

Romero ka gjetur një trajner si Gasperini në Bergamo, që mund ta ndihmojë të përmirësohet edhe më shumë: “Ai është një trajner që mund t’ju ndihmojë të rriteni si lojtar, t’ju përmirësojë stilin e lojës dhe shumë aspekte të tjera. Me Gasperini çdokush duhet të jetë në gjendje të bëjë më shumë gjëra. Një mbrojtës jo vetëm që duhet të mbrojë, sepse me të çdokush duhet të kontribuojë edhe në manovrën sulmuese. Kjo është arsyeja pse kuptova që trajneri ishte personi i duhur për karrierën time. Pas katër apo pesë muajsh këtu, mund të them se kam marrë vendimin e duhur”.

Mbrojtësi argjentinas zbuloi atë që ndjeu herën e parë, kur dëgjoi himnin e Champions-it: “Të luaja në Ligën e Kampionëve ishte një ëndërr e imja. Që kur isha i vogël dhe jetoja në Argjentinë, pashë shumë lojëra dhe mendova se sa mirë do të ishte të luaja në këtë kompeticion. Në ndeshjen time të parë, larg, ndaj Midtjylland, kur filloi himni i Ligës së Kampionëve, u emocionova pak, sepse nuk e imagjinoja kurrë që të arrija këtë nivel. Tani jam këtu, luaj në nivelin më të lartë dhe thjesht duhet të mendoj të rritem, të përmirësohem dhe të punoj shumë për t’u bërë një lojtar më i mirë. Kam jetuar kohë të vështira në Argjentinë, kështu që tani thjesht po përpiqem të shijoj futbollin europian”.