Fjalë të ëmbla, me një ‘por’…. George Weah e lartëson Cristiano Ronaldon, edhe pse nuk e konsideron më të mirin e futbollit botëror. Ish-sulmuesi i Milanit, tani president i Liberisë, shprehu mendimin e tij për kampionin e Juventusit në “Gazzetta dello Sport”: “Një shembull i shkëlqyeshëm. Është dëshmia më e lartë se si falë punës dhe pasionit mund të arrihen qëllime të pamendueshme në letër. Historia e Ronaldos tregon që, nëse besoni se mund të bëni diçka, mund t’ia dilni.

Ai nuk është më i miri në botë, por është trajnuar në mënyrë të jashtëzakonshme për t’u bërë ky që është prej vitesh. Unë jam një adhurues i tij, sepse nuk e ka humbur përulësinë dhe ka fituar gjithçka që mundet. Ronaldo ka luftuar metër për metër për të arritur atje ku është tani”.

Duke folur për shembuj, Weah gjithashtu lartëson Zlatan Ibrahimoviç: “Një tip i fortë dhe me vetëbesim, cilësi që menjëherë tërheqin vëmendjen. Por, pas këtij imazhi ka shumë më tepër: Ibra punon shumë dhe është gjithmonë 100 për qind i përqendruar në profesionin e tij. Jam i lumtur që Milani e ka marrë atë, sepse mund të jetë shumë i dobishëm për klubin, në punën me të rinjtë. Djemtë atje, si në ekipin e parë, ashtu edhe të rinjtë kanë një shembull të shkëlqyeshëm dhe një burim frymëzimi. Një udhëheqës si ai mund t’i udhëheqë me shembullin personal. Ibra është shembulli më i mirë i asaj që një udhëheqës mund të bëjë. Jam shumë i lumtur për të”.