Cristiano Ronaldo nuk ka hequr dorë ende nga perspektiva për të mos qëndruar te Manchester United, as agjenti i tij Jorge Mendes, i gatshëm të punojë pa pushim deri në minutat e fundit të merkatos për të ndryshuar mjedisin e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.

Ja pra që hipoteza e Napolit nuk është zbehur ende. Lajmin e ka dhënë “Marca”, gazetë sipas së cilës e ardhmja e kampionit portugez mund të jetë ende në stadiumin “Maradona”.

Me hipotezën e shkëmbimit me Victor Osimhen që zbehet pas super investimit të “Djajve të Kuq” për Antony, marrëveshja mund të materializohet me formulën e huazimit të thatë dhe padyshim rrogës së paguar nga Manchester United, i cili më pas do ta mirëpriste lojtarin për të konsumuar vitin e fundit te kontratës (sezonin shtesë, që ka si klauzolë në kontratën aktuale).

E gjitha kjo pak orë pasi trajneri i  Manchester United, Erik Ten Hag, e deklaroi dje tregun e transferimeve të ekipit të tij të mbyllur. Me marrjen e Antony, ai tha se ka rritur konkurrencën në sulm për Cristiano Ronaldon.

Portugezi duket më larg se kurrë, për herë të parë në karrierën e tij, nga fanella titullare, veshur vetëm një herë në katër ndeshjet e para të Premier League 2022-2023.