Karriera e Rony Lopes nuk ka shkuar sipas planeve. Talenti portugez nënshkroi një kontratë me Manchester City-n në moshën 16 vjeç, dhe në 2019-ën u transferua te Sevilla. Tani është i huazuar në Francë te Troyes.

Sevilla e mori për 25 milionë euro, por ai nuk luajti kurrë në nivelin që pritej. Sezonin e kaluar ka qenë i huazuar tek Olympiacos dhe atë të mëparshmin te Nice.

“Dëmtimet më shkatërruan karrierën”, ka thënë Lopes për L’Equipe. “Gjithmonë kanë ardhur kur po përmirësohesha dhe kanë zgjatur për disa javë.

“Askush nuk mund të më thoshte burimin e problemit. Kam kërkuar për përgjigje gjithë jetën time. E shihja veten të luaja për Real Madrid, Barcelona ose Manchester City. Mendoj se mund të kisha arritur në atë nivel.

“Kjo është gjëja më e vështirë për t’u pranuar. Ndonjëherë mendoj se deri ku mund të kisha arritur po të mos isha dëmtuar. Do të doja shumë ta dija”.

Lopes fajëson Lopetegui-n për dështimin e tij te Sevilla

Trajneri Julen Lopetegui, sipas Rony, është arsyeja pse gjërat nuk funksionuan për të në Andaluzi.

“Shkova atje dhe gjeta një trajner për të cilin kam luajtur vetëm të enjteve në Europa League”, ka thënë Lopes. “Në fundjavë jam lënë në shtëpi, nuk kam qenë as pjesë e skuadrës.

“Pas karantinës, Lopetegui më tha se isha në formë të mirë, edhe më të mirë se lojtarë të tjerë në pozicionin tim, por ai aktivizonte të tjerët.

“Një herë isha me një shok skuadre dhe ai e pyeti se si ndihej, por mua nuk më tha asgjë. Kam pyetur veten se ç’doja unë atje”.