Ronaldo qëndroi te Manchester United, kush e di se sa e ka dashur këtë gjë. Të jesh yll, të luash me më të mirët dhe ta udhëheqësh skuadrën në vendin e parë. E vështirë, por kjo është edhe ajo që bën diferencën.

Këtë e shpjegoi Wayne Rooney, i cili në rubrikën e tij të përjavshme për “Times”, kohë më parë, kujtoi se në skuadrën e tij (Manchester United) Park Ji-sung ishte po aq i rëndësishëm sa dhe Cristiano Ronaldo. Një temë që është kthyer papritur në modë.

Historia e futbollit do ta kujtojë gjithmonë portugezin, duke e lënë koreanin në një rol shumë më të errët dhe të panjohur, por ama luajti me “Djajtë e Kuq”. “Nëse i përmendni Cristiano Ronaldon një djali 12-vjeçar, ai do t’ju thoshte menjëherë se ishte dhe është një lojtar i madh i Manchester United.

Por, nëse i përmendni Park Ji-sung, ai mund të mos e dijë se për kë e keni fjalën. Megjithatë, secili prej nesh që ka luajtur me të e di shumë mirë se Park ishte po aq i rëndësishëm për fitoret tona. Dhe kjo është arsyeja pse Park i dha shumë ekipit.

Kjo është ajo për të cilën dua të flas, e cila është skuadra, jo yjet, gjëja më e rëndësishme në futboll. Të kuptuarit e rëndësisë së ekipit është thelbësor për të kuptuar se çfarë duhet me të vërtetë për të fituar. Dhe nuk është vetëm puna në grup që sjell fitoret, por edhe mentaliteti i grupit”.

Për ta bërë një ekip të funksionojë mirë, megjithatë, duhet aftësia për të ndjekur atë që kërkon trajneri. Dhe të bësh gjënë tënde është mënyra më e mirë për ta prishur atë. “Të luash për ekipin do të thotë të pranosh udhëzimet e trajnerit. Një lojtar i padisiplinuar mjafton për të prishur totalisht planin e zhvilluar për një ndeshje. Nëse një lojtar është jashtë pozicionit, është problem për shumë shokë të tjerë”.

Fjalë shumë të ngjashme, në një farë mënyre me ato të Ten Hag, që nuk ka ndërmend të vendosë një Park Ji-sung në shërbim të Ronaldos.