“Me siguri nuk do ta harroj kurrë atë ndeshje, sepse ishte një poshtërim i madh. Do të thosha se është ndoshta zhgënjimi më i madh që kam përjetuar në tërë karrierën time”. Kështu është shprehur Kosovare Asllani, futbollistja me origjinë shqiptare, lidhur me “gjembin e madh në mish”, që ruan nga humbja e rëndë 9-1 në stadiumin “Johan Cruyff”, si pjesë e Real Madridit. Ylli i kombëtares suedeze të femrave zbulon atë që ndjeu pas atij takimi: “Ne thjesht ua dhamë atyre topin. Mbeta e habitur nga mënyra se si e përballuam lojën. Shumë nga shoqet e mia të skuadrës ndiheshin shumë nervoze, sepse ishte ndeshja e parë në ligë, që ato luanin. Ishte një ndeshje në të cilën shumë lojtare nuk ndiheshin të sigurta. Ne i dhuruam kundërshtarit gola shumë lehtë. Personalisht mendoj se atyre lojtareve iu duhej një përvojë, që akoma u mungonte”.

Kosovare Asllani, e cila tani është golashënuesja më e mirë për Real Madridin dhe shënuesja e tretë më e mirë në “Primera Iberdrola”, thotë se suksesi aktual si “madridista” e bën atë të harrojë momentet e para dhe të vështira: “Gjithmonë kam duruar shumë presion në klubet ku kam luajtur. Nënshkrova një kontratë me Real Madridin, ishte shumë e rëndësishme për mua, sepse e kam ndjekur këtë ekip për një kohë të gjatë. Por, gjithashtu ndjeva se nënshkrimi i një kontrate ishte përgjegjësi e madhe. Kjo, sepse  isha lojtarja e parë zyrtare që firmosa me klubin madrilen. Gjithmonë kam duruar shumë presion në klubet ku kam luajtur. Mos harroni se kam qenë te PSG për katër vite, te Manchester City, në SHBA, me kombëtaren suedeze, ku kisha një rol të rëndësishëm si kapitene e dytë. Pra, më pëlqen të marr përsipër përgjegjësi”.

Përveç kësaj, ajo pohon se do të luftojë në mënyrë që çdo vajzë, pavarësisht nga origjina e saj, të reflektohet në të: “Prindërit e mi kanë lindur dhe janë rritur në Kosovë. Unë kam lindur në Suedi, por besoj se vajzat e çdo origjine mund të pasqyrohen tek unë. Ndjeva se ishte përgjegjësia ime të luftoja edhe për ato vajza dhe të tregoja se kudo që të shkoni, asgjë nuk ju pengon të përmbushni ëndrrat tuaja. Ne do të hapim rrugën për vajzat që ëndërrojnë një ditë të luajnë për Real Madridin”.