Hulumtimi i ri ka zbuluar se miliona njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë aksesuar “wireless” e fqinjëve të tyre pa leje. Mendohet se deri në 2.7 milionë britanikë mund të përdorin Wi-Fi kur iu ndërpritet interneti, me një të tretën e tyre që iu duhet vetëm gjysmë ore ose më pak për të kuptuar saktë fjalëkalimin e komshiut.

Studimi vjen nga ofruesi satelitor “Konnect”, i cili zbuloi se një e pesta e shkelësve shpenzuan mbi dy orë duke hamendësuar fjalëkalimet, ndërsa 5 për qind kaluan javë duke provuar kombinime të ndryshme të mundshme.

Kur përpiqeshin të merrnin me mend një fjalëkalim, emri i fqinjit të tyre ishte pika më e mundshme e fillimit, me 30 për qind që e provonin këtë fillimisht. Më pas ishin emrat e kafshëve shtëpiake (28 për qind) pasuar nga emrat e fëmijëve të fqinjëve të tyre (24 për qind).

Hulumtimi zbuloi se edhe 1.6 milionë britanikë të tjerë “e thyen” sigurinë e internetit të fqinjëve të tyre, pasi kishin marrë lejen e mëparshme për të përdorur Wi-Fi. Pasi arritën të merrnin çelësat e një lidhjeje Wi-Fi, për të cilën nuk paguajnë, koha mesatare që shkelësit e përdorin internetin e fqinjëve të tyre është 52 ditë.

Ndërsa një në 20 shkelës thanë se e kanë përdorur “wireless” e fqinjëve për më shumë se një vit. Duke folur për gjetjet, James Soames, drejtori global i marketingut për “Konnect”, tha: “Në vitin 2022, shumica e njerëzve presin të kenë një lidhje të besueshme në internet, por siç tregon ky studim, nuk është rasti për miliona familje në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Pasja e një lidhjeje me internetin luan një rol kaq jetik në aftësinë e njerëzve për të vazhduar jetën e tyre, saqë po shohin disa masa ekstreme të marra për të hyrë në internet, si p.sh. hakimi i Wi-Fi të fqinjit. Lajmi i mirë është se me brez të gjerë satelitor, ju mund të merrni një lidhje interneti edhe në vende ku fibra nuk është opsion”.

Nëse jeni të shqetësuar për hakimin e Wi-Fi tuaj nga një fqinj, ka disa gjëra që mund t’i bëni menjëherë për të mbrojtur veten. Gjëja më e mirë që mund të bëni është të ndryshoni menjëherë fjalëkalimin tuaj të Wi-Fi.

Për ta bërë “wireless” sa më të vështirë për t’u hakuar, zgjidhni një fjalëkalim që përmban një kombinim të shkronjave të mëdha dhe të vogla, si dhe numra e simbole të veçanta. Gjëra të tjera që mund të bëni për të mbrojtur linjën tuaj të internetit është përditësimi i ruterit, fshehja e emrit SSID/Wi-Fi dhe madje përdorimi i një VPN në ruterin që përdorni.