Moti do të vijojë të mbetet i qëndrueshëm edhe këtë të premte në vendin tonë. Paraditja do të jetë nën kushtet e një moti të kthjellët, teksa pritet që në zonat e thella malore të ketë edhe vranësira të lehta.

Gjatë pasdites, këto vranësira do të shfaqen në pjesën më të madhe të vendit, teksa bregdeti do të jetë në dominimin e kthjellimeve.

Sa i përket temperaturave, ato do të rriten ditën e sotme, krahasimisht me dje. Temperaturat do të rriten nga mëngjesi dhe në mesditë, me vlerat ditore që do të luhaten nga 17°C deri në 39°C.

Era pritet të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi perëndimor – veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 2 ballë.

Ndërsa sa i përket territorit të Kosovës, deri në mesditë do të dominohet nga kthjellimet, ndërsa nga pasditja pritet të ketë edhe kalime vranësirash, por që nuk do të sjellin reshje shiu.

Edhe në Maqedoninë e Veriut moti do të jetë i kthjellët gjatë orëve të para të ditës, ndërsa gjatë pjesës së dytë të ditës mund të shfaqen vranësira të lehta në Veriperëndim të vendit, por pa sjellë shi.