Çmimet e produkteve të shportës kanë pësuar rritje që nga fillimi i këtij viti të ri. Edhe kompanitë e përpunimit të qumështit kanë rritur çmimet e produkteve të bulmetit dhe nën produkteve të tij.

Kështu, duke nisur nga kjo javë, qumështi 1.4 litra me 3.2% yndyrë që deri dje shitej me 160 lekë do të ketë një çmim të ri. Ai do të shitet me 190 lekë për shishe. Ky njoftim u ka shkuar tregtarëve të pakicës nga kompanitë e përpunimit të qumështit që më 20 korrik.

Përveç rritjes me 30 lekë të qumështit, shqetësuese dhe alarmante mbetet mungesa e djathit në treg. Kjo vjen si pasojë e rritjes së lëndës së parë.

Duke qenë se numri i bagëtive në treg ka rënë, kjo ka sjellë edhe mungesë qumështi dhe si pasojë edhe rritjen e çmimit të tij dhe nën produkteve të tij.

Pjesa më e madhe e fabrikave e shesin qumështin si të përpunuar ose kos, duke krijuar kështu mungesë sasie për të bërë djathin.

Bulmeti dhe nën produktet e tij kanë pësuar disa herë rritje përgjatë këtij viti të ri, ku më e fundit ishte në muajin qershor, me rritjen e çmimeve të nënprodukteve të gjalpit dhe djathit.

Kriza për prodhimet e bulmetit po shkaktohet nga rënia e numrit të gjedhëve, ndërsa vitin e ardhshëm pritet që ky numër të jetë sërish në rënie, duke sjellë më shumë krizë dhe rritje çmimesh.