Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit dhe ish-deputete e Partisë Demokratike ka folur së fundmi lidhur me marrëdhënien që ka më bashkëshortin e saj.

E ftuar në programin “Wake Up” ajo ka dhënë një intervistë ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim, larg politikës. Hajdari tregoi se jetesa e saj mes dy vendeve, Shqipërisë dhe SHBA-së ka sjellë një ftohje në marrëdhënien e saj me bashkëshortin, i cili jeton në Amerikë.

Megjithatë, ajo shpjegoi se ata po bëjnë më të mirën për shkak të vajzës së vogël. “Është shumë e vështirë sepse që në 2017-tën kemi këtë histori që jemi larg njëri-tjetrit dhe kjo ka krijuar një ftohje në marrëdhënie. Por që ne mundohemi të bëjmë më të mirën sepse kemi edhe një vajzë, dhe kjo e bën pak më të komplikuar le të themi dhe duke marrë parasysh që vajza po rritet dhe kupton akoma më shumë, mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme.

Por që largësia bën të vetën, nuk është njësoj sikur të isha në Amerikë, por si çdo njeri që ka dëshirë të ndjekë ëndrrat e veta dhe unë zgjodha këtë rrugë. Sigurisht edhe atij nuk i vë faj sepse ka investuar në Amerikë prej më shumë se 20 vitesh.

Ai është shqiptar, por ka shumë vite atje. Kur u ktheva në 2017 kishte 17 vite që nuk kishte ardhur, kur erdhi këtu nuk po ambjentohej dot”- tha Rudina Hajdari, ndërsa shtoi se edhe nëse dashuria përfundon, është respekti ai që i mban dy njerëz bashkë.

“Unë nuk hyj nga ato gra që identifikohem nga martesa. Profesioni im ka luajtur një rol shumë kyç në jetën time dhe ka ndikuar në këtë aspekt. Nuk mund t’i kesh të gjitha në rregull. Mendoj që mbi dashurinë dhe mbi raportin martesor, thelbi është respekti. Edhe nëse ikën dashuria ose largësia bën të vetën, larg syrit larg zemrës, respekti është ai që i mban dy njerëz bashkë”- tha Rudina Hajdari.