Rusia vazhdon të kërcënojë Europën pas pushtimit të Ukrainës. Vjaceslav Volodin, kreu i Dumës, siguroi se nëse sugjerimi i ish-ministrit të jashtëm polak Radoslav Sikorski për pajisjen e Ukrainës me armë bërthamore realizohet, konflikti i mundshëm bërthamor do të shkatërrojë kontinentin europian.

“Sikorski po shkakton një konflikt bërthamor në qendër të Europës. Ai nuk mendon për të ardhmen e Ukrainës apo të Polonisë”, ka thënë Volodin.

“Nëse sugjerimet e tij realizohen, këto vende do të pushojnë së ekzistuari, ashtu si edhe Europa. Ukraina nuk duhet vetëm të çlirohet nga ideologjia naziste, por edhe të çmilitarizohet, duke siguruar statusin e një vendi pa armë bërthamore”.

Shkelje e Memorandumit të Budapestit – Sipas Sikorskit, Rusia ka shkelur kushtet e Memorandumit të Budapestit, të nënshkruar në vitin 1994 nga Ukraina, e cila me këtë marrëveshje hoqi dorë nga armët që kishte trashëguar pas shpërbërjes së BRSS.

Në këmbim, vendi ka marrë garanci nga Rusia, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina për sigurinë, pavarësinë dhe integritetin e tij territorial. Për ish-ministrin pas pushtimit të Putinit, i cili ka shkelur traktatin, armët duhet t’u kthehen ukrainasve.