Me një luftë rraskapitëse në zhvillim dhe situatën ekonomike larg të qenit e favorshme, Rusia ende arrin të mbajë nën kontroll nivelin e brendshëm të papunësisë.

Si ia bën? Nga njëra anë sigurisht që ka synim propagandistik për të mos treguar asnjë shenjë dobësie ndaj “vendeve armiqësore”, ndërsa nga ana tjetër Kremlini ka dalë me një zgjidhje sa “të thjeshta” aq edhe të pamëshirshme: t’u ofrojë qytetarëve rusë, të cilët janë të papunë, një vend në ushtrinë që lufton në Ukrainë.

Sipas mediave lokale, zyrtarë nga rajone, duke përfshirë Moskën dhe Tatarstanin, po rekrutojnë gjithnjë e më shumë mercenarë brenda vendit (dhe jo vetëm nga jashtë) për të marrë pjesë në pushtimin e Ukrainës.

Një qytetar rus i Tatarstanit tha për faqen e internetit Important Stories se kishte marrë një ofertë që ishte e vështirë të refuzohej në një qendër punësimi: një pagë mujore prej 300 mijë rubla, e barabartë me rreth 5 mijë euro. Të gjitha për t’iu bashkuar ushtrisë, sigurisht, por edhe me kusht që të mos zbulohen sekretet dhe planet ushtarake në asnjë rast.

Mesatarisht, ushtarëve të mundshëm u ofrohet trefishi i pagës mesatare kombëtare. Sipas të dhënave të TakeProfit, kjo e fundit është e barabartë me 62,269 rubla në muaj.

Një ofertë shumë tunduese për shumë prej të zgjedhurve. Në Moskë, për shembull, burrave që i bashkohen “Regjimentit Sobyanin”, i cili filloi të rekrutohej më 1 korrik, u premtohet një pagë mujore prej 200 mijë rubla (pak më shumë se 3,400 euro).

Gazeta e pavarur në gjuhën ruse Meduza, me seli në Letoni, thotë se në letër nisma ushtarake financohet pjesërisht nga Thesari rus dhe se burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç ose më të vjetër mund të regjistrohen.

Lidhur me regjistrimin në Tatarstan, komisari ushtarak i rajonit Sergei Pogodin jep disa detaje të tjera për buletinin e lajmeve Tatar Inform.

Burrat që dalin vullnetarë për të luftuar në Ukrainë marrin një pagesë në para prej 260,000 rubla (4,419 euro) nga autoritetet rajonale, përveç pagës mujore prej 170,000 rubla (pothuajse 3,000 euro), e cila paguhet drejtpërdrejt nga Ministria ruse e mbrojtjes.

“Fshehtësia” është edhe baza e mekanizmit të thirrjes. Në fakt, dëshmitari thotë se ishte thirrur urgjentisht nga qendra e punësimit në qershor “së bashku me persona të tjerë, të pranuar një nga një në një zyrë të veçantë”.

Në atë moment, një zyrtar e ftoi burrin të nënshkruante një marrëveshje për moszbulimin e sekreteve ushtarake. “Më tha se në Kazan po formohej një batalion rezervë, i cili do të përdorej për të mbrojtur kufirin me Ukrainën”.

Eksponenti i Kremlinit duket se këmbëngul në një pikë: dikush është i regjistruar në një njësi rezervë që “me shumë gjasa” nuk do të marrë pjesë në konfliktin e armatosur.

Më pas ai shtoi: “Sigurisht, ndoshta do të ndodhë që të bëjmë një kërcim në territorin ukrainas”. Dëshmitari deklaron se e refuzoi ofertën sepse ishte “kundër kësaj lufte”.

Më në fund u zbulua se autoritetet e Tatarstanit rekrutuan 400 njerëz, të gjithë nga rajoni, për t’u caktuar në batalionet “Alga” (“Përpara”) dhe “Timer” (“Hekuri”).

I pari u zhvendos në fillim të korrikut në një qendër trajnimi në rajonin e Orenburgut, me synimin për punësim të drejtpërdrejtë në Ukrainë.