Basketbollisti 32-vjeçar Russell Westbrook, një nga yjet e NBA-së, MVP i sezonit të rregullt në vitin 2017, do të luajë me Lakers sezonin e ardhshëm sportiv 2021-2022. Gjatë natës së mbrëmshme është mbyllur marrëveshja që do të çojë Westbrook nga Washington te Lakers.

Në këmbim, te Washington do të shkojnë Kyle Kuzma, Montrezl Harrell, Caldwell Pope dhe një zgjedhje e draft të këtij viti. Gjithsesi, transferimi i Westbrook te Lakers ndryshon totalisht forcat e skuadrave në Konferencën e Perëndimit, me skuadrën nga Los Anxhelosi favoriten nr.1 për titull.

Westbrook, 9 herë pjesëmarrës në “All Star Game”, do të formojë një trio ëndrrash bashkë me LeBron James dhe Anthony Davis edhe pse kjo blerje do të ndikojë jo pak në arkën e ekipit kalifornian. Kjo treshe i kushton Lakers plot 121 milionë dollarë për sezonin e ri.