“Maurizio Sarri takoi menaxherët e Fiorentinës”. Lajmi u përhap shpejt këtë mëngjes, veçanërisht nga “Corriere Fiorentino”, sipas së cilës ish-trajneri i Juventusit dhe Napolit ishte parë mbrëmë me Joe Barone dhe Daniele Pradè. Detajet: takimi ishte zhvilluar në fshehtësi të madhe në “Castelfranco Piandiscò”, një qytet në provincën e Arezzo, për të folur në lidhje me një “martesë” të mundshme midis Fiorentinës dhe Sarrit, gjë e cila e ngacmon shumë klubin vjollcë.

Herët në mëngjes, megjithatë, mbërriti mohimi zyrtar i Fiorentinës. Asnjë takim me Sarrin nuk u zhvillua, siç shpjegon klubi me forcë në faqen e tij zyrtare: “Fiorentina mohon atë që raportoi ‘Corriere Fiorentino’ sot në lidhje me një takim midis drejtuesve tanë dhe trajnerit Maurizio Sarri. 

Artikulli në fjalë është tërësisht pa baza. Fiorentina, në një moment delikat të sezonit, e konsideron si një akt sipërfaqësor serioz nga ana e gazetës, për të publikuar raporte të ngjarjeve që nuk kanë ndodhur kurrë dhe që dëmtojnë ekuilibrin e një ekipi dhe frymën e një grupi të angazhuar çdo ditë për përqendrimin maksimal këtë sezon akoma të gjatë sportiv. Klubi vjollcë gjithmonë dhe kudo do të mbrojë veten nga sulmet dhe lajmet false e të pabazuara, që destabilizojnë mjedisin dhe punën e skuadrës”.

Sarri është ende pa ekip, që kur u largua nga Juventusi, disa muaj më parë, pasi fitoi “Scudetto”. Kohët e fundit është folur për interesimin e Marseille për të, por argjentinasi Sampaoli do të ulet në stolin e OM. Dhe, me sa duket, Cesare Prandelli do të mbetet në stolin vjollcë. Të paktën për momentin.