Mund të jetë “Coppa Italia”, por Inter-Milan mbetet gjithmonë një derbi i zjarrtë. Në kësi rastesh iu rikthehen kujtimeve të ëmbla të dyja palët. Duke menduar për Serginho, atëherë është e pamundur të mos kthehesh në derbin e vitit 2001, natën magjike të Gianni Comandini, në të cilën braziliani, midis një goli dhe një asisti, u bë thjesht i pandalshëm.

Sot, Serginho jeton në Brazil dhe është agjent futbolli. “Gazzetta dello Sport” dëgjoi Julio Cesar në njërën anë dhe atë në anën tjetër. Një lloj derbi në këndvështrimin amerikano-jugor, disa orë para përplasjes së sotme. Dhe ish-mbrojtësi dëshmon se ende e ndjek Milanin e tij të vjetër me pasion:

“Ky derbi, edhe test për titullin? Po. Hendeku në renditje është minimal dhe efektet e një derbi nuk duhet të nënvlerësohen. Por, ne do të fitojmë. A mund ta fitojë titullin Milani? Skuadra ka më shumë përvojë këtë sezon, por titulli fitohet çdo ndeshje. Milani është ekipi me më shumë ekuilibër dhe vazhdimësi në Serie A. Kuqezinjtë i shoh të etur për sukses”.

Pioli ka një mbrojtës, që i kujton veten brazilianit: Theo Hernandez: “Në Europë, a shihni lojtarë më të mirë se ai? Unë jo… Nëse do të kishte qenë në stol me mua? Vështirë ta them, janë epoka të ndryshme. Ndoshta unë kam qenë më teknik, por ai ka trupin. Ndoshta do të ishim alternuar”.

Serginho pastaj lartëson Ibrahimoviç: “Ai do të bëjë gjëra të mëdha edhe në moshën 40 vjeç. Me Mandzukic, Milani ka një alternativë më shumë. Nuk e shoh partner të mundshëm të suedezit”. Dhe për cilësinë braziliane të Milanit, ai specifikon: “Pioli ka lojtarë shumë teknikë, shumë të mirë në vizionin e lojës. Por, teknika braziliane është një tjetër gjë; është e paparashikueshme absolutisht. Si vetë derbi…”