Mes pushkatimit dhe karriges elektrike, Richard Bernard Moore ka zgjedhur pushkatimin. I dënuar me vdekje në 2001-shin për vrasje dhe krime të tjera të bëra në 1999-ën në South Carolina, i burgosuri 57-vjeçar ka mundur të zgjedhe mënyrën e vdekjes 14 ditë para datës së ekzekutimit, që është fiksuar më 29 prill.

Nëse kjo do të ndodhë, atëherë ky do të jetë pushkatimi i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Avokatët e tij kanë bërë një rekurs në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve duke i gjykuar dy alternativat (pushkatimin dhe karrigen elektrike) si antikushtetuese dhe kanë kërkuar një riformulim të dënimit të klientit të tyre.

Shtetet amerikane, ku dënimi me vdekje është i lejuar, e ekzekutojnë vendimin me një injeksion vrasës. Megjithatë, në vitet e fundit është bërë gjithmonë e më e vështirë të gjenden përzierjet e helmeve të nevojshëm, pasi shumë farmaci dhe shumë vende në botë e kanë ndaluar eksportimin e tyre në SHBA për arsye humanitare.

Deri më tani, duke patur mundësinë për të zgjedhur mes injeksionit dhe karriges elektrike, të dënuarit kanë zgjedhur të parën, duke ndaluar ekzekutimin e tyre për shkak të mungesës së ilaçeve.

Për ta shmangur këtë problem, në majin e vitit të kaluar, South Carolina ka futur mes zgjedhjeve edhe pushkatimin, duke u bërë shteti i katërt amerikan që e bën një gjë të tillë.

Pushkatimi parashikon që tre roje burgu të qëllojnë nga vrima e një muri përballë të dënuarit, i cili do të jetë me kapuç dhe i lidhur në një karrige. Avokatët e Moore kanë vendosur ta ndërpresin ekzekutimin e dënimit në mënyrë që të marrin kohë që Gjykata e Lartë ta analizojë çështjen.