Një drejtues i Komisionit Federal të Komunikimeve të SHBA-së tha se i ka kërkuar Apple dhe Google që të heqin TikTok nga dyqanet e tyre të aplikacioneve për shqetësimet e sigurisë së të dhënave të lidhura me Kinën.

Aplikacioni jashtëzakonisht i popullarizuar i videove të shkurtra është në pronësi të kompanisë kineze “ByteDance”, e cila u përball me kontrollin e SHBA-së nën presidencën e Donald Trump.

Brendan Carr, një nga komisionerët e FCC, ndau përmes Twitter një letër drejtuar CEO të Apple, Tim Cook, dhe CEO së “Alphabet Sundar Pichai”. Letra tregonte raporte dhe zhvillime të tjera që e bënë TikTok të mos përputhej me politikat e dyqaneve të aplikacioneve të dy kompanive.

“TikTok nuk është ashtu siç duket në sipërfaqe. Nuk është thjesht një aplikacion për të ndarë video ose meme qesharake. Kjo është veshja e ujkut me lëkurën e deles, – shkroi ai në letër. – Në thelbin e tij, TikTok funksionon si një mjet i sofistikuar mbikëqyrjeje që mbledh sasi të mëdha të të dhënave personale dhe të ndjeshme”.

Alphabet, Apple dhe TikTok nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të CNBC për koment. Letra e Carr, e datës 24 qershor, thoshte që, nëse Apple dhe Alphabet nuk e heqin TikTok nga dyqanet e tyre të aplikacioneve, duhet t’i japin atij deklarata sqaruese deri më 8 korrik.

Deklaratat duhet të shpjegojnë “bazën e e lejimit të qasjes së fshehtë, si përdoren të dhënat private dhe të ndjeshme të përdoruesve të SHBA nga persona të vendosur në Pekin, së bashku me modelin e përfaqësimeve dhe sjelljes mashtruese të TikTok”.

Trump emëroi Carr më 2018 për një mandat pesë-vjeçar me FCC. Senati konfirmoi në dhjetor se kryetarja e komisionit, Jessica Rosenworcel, do të qëndronte në detyrë për një mandat tjetër pesëvjeçar.

Letra e Carr-it citonte një raport të “BuzzFeed News” nga fillimi i muajit që thoshte se regjistrimet e deklaratave të punonjësve të TikTok tregonin se inxhinierët në Kinë kishin akses në të dhënat e SHBA-së midis shtatorit 2021 dhe janarit 2022.

Në një deklaratë për CNBC, një zëdhënës tha: “Ashtu si shumë kompani globale, TikTok ka ekipe inxhinierike në mbarë botën. Ne përdorim kontrolle aksesi si kriptimi dhe monitorimi i sigurisë për të siguruar të dhënat e përdoruesit dhe procesi i miratimit të aksesit mbikëqyret nga ekipi ynë i sigurisë me bazë në SHBA. TikTok ka pohuar vazhdimisht se inxhinierëve tanë në vende jashtë SHBA-së, përfshirë Kinën, mund t’u jepet akses në të dhënat e përdoruesve të SHBA-së sipas nevojës, nën kontrolle të rrepta”.

Më 17 qershor, në të njëjtën ditë me raportin e “BuzzFeed”, TikTok njoftoi se po drejtonte të gjithë trafikun e përdoruesve të SHBA në “Oracle Cloud Infrastructure” dhe po lëvizte të dhënat private të përdoruesve të SHBA nga qendrat e veta e të dhënave në SHBA dhe Singapor drejt serverëve “cloud” në Shtetet e Bashkuara.