‘Sherr mejhaneje mes tymit të qofteve…” Kështu i cilësoi kryeministri Edi Rama reagimet që erdhën pas ironisë që bëri për veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, gjë që po pengon procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian!
Sipas kreut të qeverisë, “histeria e disave në Shkup ndaj kryeministrit Kovaçevski” janë për të qeshur e për të qarë. Gjatë takimit në samitin në Selanik, kur po shtrëngonin duart kancelari gjerman Scholz me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Rama u bë pjesë e bisedës duke thënë “Maqedonia në të ardhmen do të quhet Bullgaria perëndimore”, ndërsa ka pasur reagime të shumta pasi Kovaçevski e kaloi me të qeshur.
Në reagimin e tij në Twitter, kreu i qeverisë duket se i del në mbrojtje dhe thotë se ishte ironi ndaj vetos së Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut. Për të qeshur dhe qarë histeria e disave në Shkup ndaj kryeministrit Kovaçevski, pas publikimit të videos së duarshtrëngimeve me Kancelarin Scholz në Selanik, ku ironizova bllokadën e shëmtuar ndaj Maqedonisë së Veriut nga ana e Bullgarisë! Sherr mejhaneje mes tymit të qofteve”, shkroi Rama në Twitter.
Në samitin e liderëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, u bënë bashkë 12 shtete për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon.
Gjithashtu liderët folën për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në vendet e rajonit. Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, presidenti i Këshillit, Charles Michel dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.