Princ Harry ka publikuar pak ditë më parë librin e tij të parë i titulluar ‘Spare’, i mbushur me kujtime. Sipas botuesit, që pas publikimit të librit ditën e martë, ‘Spare’ është bërë që tani libri më i shitur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.

Botuesi i librit tha se janë shitur 400.000 kopje që në ditën e parë. Ne e dinim se ky libër do të kishte sukses, por po i tejkaloi edhe pritshmëritë tona më të mëdha”, tha përmes një deklarate, Larry Finlay, drejtor menaxhues në Transworld Penguin Random House.

“Sipas informacioneve tona, të vetmet libra që janë shitur më shumë në ditën e parë kanë qenë ata për Harryn tjetër Harry Potter”, tha ndër të tjera botuesi i librit ‘Spare’.

Libri i Princ Harry-t ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve në të gjithë botën, pasi aty ka zbuluar betejat e tij personale dhe akuzat lidhur me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore, përfshirë edhe për babanë e tij, Mbretin Charles, njerkën Camilla dhe vëllain e tij të madh, Princin William.