Shkëndije Mujaj, këngëtarja shumë e njohur nga Kosova ka vendosur të nisë një jetë të re prej dy vitesh. Ajo i është përkushtuar fesë islame që nga viti 2020, teksa ka bërë edhe një shkollë fetare në shtetin zvicerian. Edhe pse tashmë ajo ka ndryshuar gjithçka sa i përket mënyrës së saj të jetesës, sërish ka shumë komente në rrjete sociale nga ndjekësit e saj që i kujtojnë jetën e saj të mëparshme.

Ditën e sotme, Shkëndija ishte e ftuar në emisionin e pasdites në Top Channel, ‘Ftesë në 5‘ nga Bieta Sulo, ku foli rreth jetës së saj të re. Ajo tregoi se dita e saj ishte shumë e ngarkuar, teksa prej disa kohësh është zhvendosur të jetojë në Zyrih të Zvicrës. Këngëtarja foli rreth planeve për martesë dhe çfarë kërkon ajo nga partneri i saj i ardhshëm, duke theksuar se për të ka rëndësi që personi që do të hyjë në jetën e saj mos të kërkojë ‘Shkëndijen e vjetër‘ dhe të jetë një njeri fetar.

Kur mendoj për martesë, thjesht e dua një person që kjo paqje që unë e kam, që kam luftuar vite me radhë ta fitoj, mos të vijë dikush të hyjë në jetën time dhe të kërkojë ‘Shkëndijen e vjetër‘. E dyta, ai person duhet të ketë pastruar veten, edhe nëse vjen nga një jetë sikur e kisha unë dhe ta dijë qëllimin që interesi i përbashkët është të kesh paqen të punosh për të ardhmen që është ahreti, duke i gëzuar të mirat këtu, në përputhshmëri me ligjin e fesë islame, për të vazhduar më tej me krijimin e familjes‘ – tha Shkëndije Mujaj në emisionin ‘Ftesë në 5‘ në Top Channel.

E pyetur nga Bieta Sulo se sa fëmijë dëshiron të ketë në jetën e saj, këngëtarja tha se ajo nuk ka qenë shumë familjare, por për të ka shumë rëndësi që edhe nëse do të ketë vetëm një fëmijë, ai të jetë ‘hallall‘ dhe të lutet për të kur ajo mos të jetë më në jetë. Shkëndija tha se nuk do një fëmijë që të bredhë kot në këtë botë.

Nuk jam shumë familjare, s’kam qenë shumë familjare është e vërtetë, nuk mund të gënjej. Por ka kohë kur mendoj, të kisha pasur një, por një hallall dhe një që kur unë të vdes të lutet për mua. Ky është qëllimi im. Që të jetë i udhëzuar. Nuk dua fëmijë që të bredhi kot më kot dhe të pësojnë diçka këtu në këtë botë dhe t’ja shoh sherrin edhe në atë botë‘ – tha Shkëndije Mujaj për Bieta Sulon në Top Channel.