Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, kur një kabinë teleferiku e linjës Stresa-Mottarone (provinca e Ossola) është rrëzuar, duke shkaktuar deri më tani 14 viktima. Për fat të keq të 15 pasagjerëve që ndodheshin në të, kabina është rrëzuar në pikën e saj më të lartë nga toka.

Sipas policisë italiane, kablli që mbante kabinën është këputur, duke shkaktuar 14 vitkima. Në spital ndodhet ende në gjendje të rëndë një fëmijë 5 vjeç. Ndërsa një tjetër fëmijë, 9 vjeç, ndërroi jetë pak orë pas aksidentit, pasi mbërriti në spital, pasi nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Mësohet se në këtë tragjedi janë të përfshira 5 familje, që tashmë janë në zi, ndërkohë që në kabinë kishte edhe disa shtetas të huaj. Kabina u shkëput rreth 100 metra larg stacionit në majën e malit, duke u rrokullisur në rrëpirë, ndërkohë që udhëtimi zgjat rreth 20 minuta.