Qiejt blu të Chelsea janë errësuar në muajin e fundit. Retë kanë lënë në hije trajektoren e mëparshme, kur londinezët e Lampard ishin të tretët, dy pikë prapa liderëve, Tottenham dhe Liverpool. Duket shumë larg ai moment, jo në kohë, para këtyre gjashtë ndeshjeve të fundit “vdekjeprurëse”. Pengesa (1-0) në “Goodison Park” kundër Everton, më 12 dhjetor, i dha fund serisë së rezultateve positive në 17 ndeshje, në të gjitha garat…, duke hapur derën e krizës aktuale.

“Ky është momenti ynë më i vështirë i sezonit. Unë mund ta ndiej zhgënjimin e lojtarëve, sepse të gjithë duan të fitojnë”, – tha Frank Lampard, duke përshkruar situatën e komplikuar te të tijtë. Humbja e fundit (1-3) kundër Manchester City në shtëpi i pozicionoi blutë të tetët në renditje, shtatë pikë prapa Liverpool dhe Manchester United…, me një ndeshje më shumë.

“Realiteti është se një muaj më parë u fol se mund të fitonim Premier League. Sidoqoftë, unë isha i sigurt se ku qëndronim në hierarki, për shkak të rindërtimit të madh dhe të rinjve në ekip. E dija që do të kalonim periudha të vështira”, – shton Lampard.

Chelsea ka pësuar një metamorfozë negative në këtë periudhë. Everton (1-0), Wolves (2-1), Arsenal (3-1) dhe Manchester City (1-3) kanë rrëzuar imazhin e bluve, që gjithashtu barazuan kundër Aston Villa (1-1) dhe mundën vetëm West Ham (3-0). Ata kanë grumbulluar vetëm 4 nga 18 pikët e mundshme në ndeshjet e fundit. Në epokën e Premier League, me 26 pikët e tyre aktuale, pas 17 ndeshjesh, kurrë nuk e përfunduan kampionatin më lart se vendi i gjashtë. Pra, jashtë zonës Champions.

Që nga dhjetori, vetëm Sheffield United (6) dhe West Bromwich (5), dy të fundit në Premier League, kanë humbur më shumë ndeshje se Chelsea (4). Në 11 ndeshjet e para, Chelsea ishte skuadra e dytë më pak e mposhtur (11 gola kundër) dhe e kishte mbajtur portën katër herë të paprekur, me Mendy duke thyer rekorde.

Ja rezultatet e Chelsea kundër “Big”-ëve të Premier League:
Chelsea 0-2 Liverpool
Manchester United 0-0 Chelsea
Chelsea 0-0 Tottenham
Arsenal 3-1 Chelsea
Chelsea 1-3 Manchester City

Gjithçka ka ndryshuar. Në gjashtë ndeshjet e fundit, blutë kanë pësuar 10 gola. Ata kanë humbur edhe “shënjestrën”. Në 11 ndeshjet e para shënuan 25 gola, duke kaluar pastaj në thatësirën e gjashtë ndeshjeve në vijim (7 gola). Dhe të menfdosh se po flasim për një skuadër shumë të investuar në merkaton e verës, me 247 milionë euro përforcime, i bie që Chelsea i Lampard të jetë zhgënjimi më i madh në Premier League.