Shfaqja e mundshme e një shpërthimi Covid-19 brenda Juventusit, pas rasteve pozitive të Alex Sandro dhe Cuadrado, është shqetësuese. Ndeshja ndaj Milanit nuk është në rrezik për momentin, por deklaratat e drejtorit të ASL të Torinos, sigurisht që do të vlerësohen.

I intervistuar nga “Corriere di Torino”, Roberto Testi foli për situatën që po përjeton klubi bardhezi: “Juventus na lajmëroi për pozitivitetin e dy lojtarëve. Për njërin, raporti u zhvillua të hënën, 4 janar, ndërsa për të dytin, të martën e 5 janarit. Në këtë moment nuk kemi asnjë element për të thënë që ka një shpërthim brenda ekipit, sepse e dimë se si ndodhi infektimi për dy lojtarët në fjalë. Ndërkohë, të gjithë shokët e tjerë të skuadrës janë negativë”.

Deri tani, pra, gjithçka është në normë për këtë periudhë. Për momentin nuk është një shpërthim i infeksiuonit Covid-19 te Juventusi. Por, çfarë, nëse situata përkeqësohet? “Nëse sot do të kishte pozitivë të rinj dhe prova të një shpërthimi të pakontrolluar brenda ekipit, kjo do të krijonte një problem sigurie për lojtarët e tjerë. Prandaj është e qartë që ASL do të detyrohej të ndërhynte, duke i izoluar të gjithëve dhe duke bllokuar largimin e Juventusit për në Milano”, – shton Roberto Testi.

Një situatë që, e paraqitur në këtë mënyrë, mund të kujtojë atë që ndodhi me rastin e Juventus-Napoli, e cila do të duhet të luhet, pas kaosit të lidhur me ASL dhe mos-udhëtimin e napolitanëve. Për Matteo Marnati, këshilltar rajonal për urgjencën kovidiane në Piemonte, megjithatë, nuk ka asnjë mundësi shtyrjeje:

“Milan-Juventus do të luhet me 99.99%. Kam dëgjuar menaxherin e përgjithshëm të ASL së Torinos, ai më tha se nuk është marrë asnjë vendim. Situata nuk është as serioze dhe as alarmante. Lojtarët kontrollohen. Nuk do ta ndalojmë ndeshjen, mund t’i siguroj të gjithë. Nga pikëpamja shëndetësore, situata nuk mund të përcaktohet serioze. Jemi mësuar të menaxhojmë një numër kaq të madh të infeksioneve në botën e futbollit. Unë besoj se Testi është keqkuptuar. Ai ka pohuar se ashpërsia e infeksionit do të duhet të vlerësohet, siç ndodh çdo ditë në sektorë të tjerë”.