“Nderi i Kombit”, aktorja e njohur shqiptare, Tinka Kurti u shfaq shumë e emocionuar në promovimin e librit “Ditari i një bashkëshorti”, ku vjen edhe ditari i bashkëshortit të saj, Palokë Kurti, në një libër të shkrimtares Anila Mema, që sjell rrëfime, shënime dhe imazhe nga rolet e Tinkës ndër vite.

Në fjalën e saj, shkrimtarja u shpreh se në këtë libër aktorja e madhe shqiptare vjen në një tjetër dimension, atë njerëzor, me shumë të pathëna, përjetime e ndjesi të thella, duke treguar histori për jetën që spektatori nuk e njeh.

Në fjalën e saj, aktorja e madhe shqiptare, Tinka Kurti u shpreh se fillimet në art ishin shumë të vështira. Ndër të tjera, ajo kujtoi edhe bashkëshortin e saj, teksa është përlotur kur ka folur për të birin, ndërsa kujton edhe fjalën e fundme që i tha të birit, pa mundur ta marrë më vete.

“Ishte e zorshme të merreshe me art. Do kishe shumë llafe pas. Filja ishte jeta ime, ai rol ishte shumë. Janë emocione të jashtëzakonshme të jetës sime. Im shoq iku herët. E kam thënë gjithmonë, duhet t’i vijë keq atij burrit tem, që më ka lënë me një djalë, (përlotet) por unë pata fatin e keq me humb edhe djalin.

Ai iku më i ri…Janë çaste të jashtëzakonshme të jetës sime, sa kam qenë shumë trimneshë edhe me dhimbjen e djalit. I jam afruar tim biri, në arkëmort dhe i kam thënë: biri im, shpirti i nanës, nuk të marr dot se nuk më vjen dot, por më kanë ndihmuar njerëzit, më ka ndihmuar Shqipëria”, tha Tinka Kurti.