Florian Marku mbetet i pamposhtur. Kampioni shqiptar ka mundur me pikë pas 10 raundesh boksierin meksikan Miguel Perra. Një ndeshje mjaft emocionuese nga të dy boksierët por në fund ka qenë shqiptari ai që ka fituar. Me mijëra qytetarë kanë qenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania” dhe me miliona të tjerë e kanë ndjekur nga ekrani. Marku ka fituar me pikë 95 me 92.
Boksieri Florian Marku foli për mediat pas fitores që arriti sot ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez në “Air Albania”, sfidë ku fitoi titullin e përkohshëm kampion bote në kategorinë WBC Silver. “E dija që do të fitoja, do të jepja shpirtin për ta fituar këtë sfidë dhe ia dola mbanë”, tha Marku.
Më tej, boksieri shqiptar, ende i pamposhtur në ring (12 fitore e 1 barazim), shtoi: “Ishte një duel i mirë nga të dy boksierët. E nisa mirë sfidën, por bëra disa gabime. Gjithsesi, ishte një sfidë e vështirë.
Ai djalë kishte ardhur për të fituar dhe ishte i fortë”. Duke folur për dëmtimin në sy, ai tha: “Dëmtimi në syrin e majtë më pengoi disi, pasi nuk shihja edhe pse e nisa mirë duelin. Gjithsesi, nuk u vrava aspak nga ai dëmtim”.
Florian Marku falënderon fansat e tij: “Sfida këtu në Tiranë ishte e jashtëzakonshme, mbështetja dhe atmosfera ishin fantastike, ndaj i falënderoj të gjithë. E mbajta fjalën”. Në fund, boksieri nga Lushnja foli edhe për të ardhmen e tij, duke qenë gati për cilindo rival: “Nuk më intereson se kë do të kem përpara në sfidën e radhës. Unë jam gati të përballem me këdo që do të më sjellin në ring”.