Teksa Covid-19 vazhdon të qarkullojë akoma në botë, Europa duhet të përballet me një emergjencë të re të mundshme shëndetësore.

Në ditët e fundit janë regjistruar në Britaninë e Madhe, Spanjë dhe Portugali dhjetëra raste të lisë së majmunit. Është infektuar edhe një burrë që jeton në Shtetet e Bashkuara, në Massachussets, i cili sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Kanada.

Çfarë është – Lia e majmunit është një patologji infektive virale që prek në përgjithësi vendet tropikale të Afrikës perëndimore dhe qendrore.

Është identifikuar për herë të parë në 1958-ën në disa majmunë të mbajtur në kafaz. Shkaku i sëmundjes është një virus që quhet Monkeypox.

Sëmundja është shumë e ngjashme me linë. Ndryshimi i madh qëndron te vdekshmëria: lia e majmunit është më pak fatale dhe te qeniet njerëzore simptomat paraqiten pas rreth 12 ditësh.

Simptomat – Simptomat më të shpeshta janë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dhimbje kurrizi, ethe, lodhje dhe puçrra në lëkurë.

Si transmetohet – Lia e majmunit mund t’i marrë jetën një nga dhjetë pacientëve të infektuar, por nuk përhapet lehtësisht mes njerëzve. Transmetohet nëpërmjet pikave të pështymës gjatë kontaktit të zgjatur fytyrë me fytyrë ose nëpërmjet lëngjeve trupore.

Si kurohet – Nuk ekziston një kurë specifike kundër lisë së majmunit. Megjithatë, vaksina kundër lisë së njeriut është efikase në parandalimin dhe mbrojtjen në rast infektimi.

Gjendje gatishmërie në Spanjë – Autoritetet shëndetësore spanjolle janë në gjendje gatishmërie për linë e majmunit dhe po analizojnë rastet e dyshimta për t’i konfirmuar ose përjashtuar dhe për të gjurmuar zinxhirët e mundshëm të infektimit. Të gjithë rastet e diagnostikuar deri tani ose të dyshuar janë evidentuar mes meshkujve që kanë patur marrëdhënie seksuale me meshkuj të tjerë.