Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, është ndarë nga jeta këtë të shtunë në moshën 55-vjeçare. Për shkak të komplikacioneve të krijuara nga Covid-19, ai ndodhje prej disa kohësh në Gjermani për t’u kuruar.

Nishani ishte president për një mandat 5-vjeçar, ndërsa në këtë post u zgjodh në 24 korrik të 2012-ës deri në 24 korrik të 2017-ës.

“Dielli perëndoi përgjithmonë për ish presidentin Bujar Nishani”, ka shkruar kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke i shprehur ngushëllimet e tij familjes.

“Do të kujtohet si një udhëheqës me  integritet dhe vizion”, ka qenë komenti në rrjetet sociale i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Si President, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur! U prehsh ne paqe President Nishani!”, ka shkruar Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.