Popullsia në Shqipëria po plaket nga viti në vit. Sipas statistikave, gjatë vitit 2020, Shqipëria rezultoi vendi i pestë në Europë për normën e më të ulet të lindshmërisë. Kjo ndodhi për shumë arsye, por emigracioni është shkaku kryesor, duke bërë që popullsia e Shqipërisë të hyjë në një proces plakje të shpejtë duke u shndërruar në një problem madhor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Sipas Eurostat, gjatë vitit 2020, Shqipëria pati vetëm 1.32 lindje të gjalla për grua me një rënie me 0.2 në krahasim me vitin 2019, duke lënë pas vetëm, Maltën, Spanjën, Italinë dhe Maqedoninë. Në vitin 2020, 4.07 milionë foshnja lindën në Bashkimin Europian, duke vazhduar një trend në rënie që filloi në vitin 2008, kur lindën 4.68 milionë fëmijë. Në Shqipëri trendi i rënies ka vijuar më shpejtësi pas vitit 1990.

Në Shqipëri, gjatë periudhës 2011–2020 lindjet në shkallë kombëtare kanë rënë me 18%. Nga 34,285 bebe të lindura më 2011, në vitin 2020 lindën 28,075. Qarku i Kukësit shënoi rënien më të madhe në shkallë vendi, me 37.8%. Pas Kukësit, rënien më të madhe të lindshmërisë gjatë dekadës së fundit e ka shënuar qarku i Beratit me 34.3%. Gjirokastra renditet e treta për rënien e madhe të lindshmërisë me 32.2% dhe më pas Vlora me mbi 31% për të njëjtën periudhë.

Rënien më të ulët të lindjeve e kanë Tirana dhe Durrësi, përkatësisht me 1.6 dhe 2.0%, por këto dy qarqe kanë shtesë natyrore pozitive të popullsisë për shkak të zhvendosjeve nga rrethet e tjera drejt tyre. Si pasojë e kësaj situate, zhvillimet demografike janë duke u zhvilluar sipas skenarëve pesimistë të projeksioneve të popullsisë. Në hipotezën e lindshmërisë së ulët në Shqipëri mendohet që iSF do të arrijë nivelin 1,2 në vitin 2031, por zhvillimet reale po tregojnë se ky nivel do të arrihet para këtij viti.