Ajo besonte se kishte gjetur njeriun me të cilin mund të ndante jetën, edhe pse nuk e kishte takuar kurrë nga afër. Ai ishte i pashëm, i kulturuar, i ndjeshëm. Ajo i shkruante mesazhe të buta çdo ditë, me dëshirën për ta takuar. E vetmja pengesë që qëndronte mes tyre ishte distanca dhe detyrimet e tij profesionale.

43-vjeçarja greke që komunikonte përditë përmes një aplikacioni në internet me mjekun amerikan, i cili thoshte se ishte “bllokuar” në Jemen, ku merrte pjesë si anëtar i ndihmave humanitare të Kombeve të Bashkuara (OKB). Për të “prishur” kontratën dhe për të ardhur në Greqi, duhej të plotësonte klauzolën e dëmshpërblimit, që do të thoshte se “i duheshin para, shumë para”, por nuk i kishte.

43-vjeçarja pranoi ta ndihmonte, duke paguar shuma të ndryshme parash me këste, herë përmes një shkëmbimi kriptomonedhash (bitcoin) dhe herë përmes një llogarie bankare. Pesë muaj pas komunikimit të tyre fillestar dhe pasi depozitoi 130 mijë euro nga kursimet e prindërve të saj, ajo filloi të dyshonte se Dr.Michael Wooden, siç u prezantua, nuk ekzistonte, por në fakt ishte protagonisti i padukshëm i një mashtrimi të krijuar mirë kundër saj, i njohur në terminologjinë angleze si “Love Scamming” ose “Romance Scamming”. Në fund të vitit të kaluar, gruaja greke kërkoi ndihmë ligjore dhe iu drejtua organeve të rendit.

Vetëm 24 orë më parë, Prokuroria e Krimeve Kibernetike e Greqisë së Veriut e Policisë Helenike njoftoi arrestimin e një 36-vjeçareje me origjinë nga Shqipëria, e cila akuzohet për përfshirje në këtë rast. Shqiptarja u dërgua në prokurori dhe iu referua akuza dhe ndjekja penale pranë autoriteteve hetimore të Selanikut. Dy burra të tjerë duket se janë të përfshirë në këtë rast, por identiteti i tyre nuk mund të verifikohet për momentin.

Duke zbardhur komplotin, autoritetet duket se arrijnë në përfundimin se mashtrimi filloi të orkestrohej verën e kaluar. Pikërisht atëherë 43-vjeçarja greke punonte me 36-vjeçaren shqiptare në një kamp turistik në Greqinë e Veriut. Mes tyre krijohet një marrëdhënie miqësore dhe fillojnë të bisedojnë për personalitetet e tyre. E huaja rrëfen se partneri i saj i dyshuar ndodhet larg, në Jemen, ku punon si mjek në kuadër të ndihmës humanitare të OKB-së.

Në këto rrethana, ajo i propozon 43-vjeçares që ta vendosë në kontakt me një mik të partnerit të saj, mjek edhe ai, pjesëtar i të njëjtit mision. Në të vërtetë, ato filluan të bisedojnë në internet. Ai i dërgon asaj një foto për të krijuar një imazh të pamjes së jashtme. Kur zgjohej në mëngjes, 43-vjeçarja gjente fjalë të ëmbla në ekranin e celularit të saj. “Mirëmëngjes dashuria ime. Si ke fjetur?”. Ky thuhet se është një nga qindra mesazhet që do t’i dërgonte personi misterioz në muajt e ardhshëm.

43-vjeçarja duket se është magjepsur dhe mesazhet shkojnë e vijnë. Pasi ka fituar besimin e saj, biseda shkon tek perspektiva e ardhjes në Greqi, me pretekstin se për të ndodhur kjo, si ai dhe shoku i tij duhet të “zgjidhin” kontratat dhe të paguanin dëmshpërblim tek misioni humanitar që ishin. Për pjesën financiare, nga shkresat e lëndës rezulton se ajo “bisedon” kryesisht me mikun e të supozuarit Dr. Michael Wooden. Për ta bindur atë se ky nuk është një mashtrim, dërgojnë mesazhe me udhëzime specifike dhe një dërgues që mban adresë emaili të OKB-së.

Gjatë gjithë kësaj kohe, 36-vjeçarja duket se nuk e humb rastin për ta bindur shoqen greke për nevojën e depozitimit të parave (kryesisht në bitcoin), duke luajtur, sipas denoncuesit, një rol aktiv. Pasi i është drejtuar tashmë Prokurorisë së Krimeve Kibernetike, është planifikuar një operacion ku 43-vjeçarja i dorëzon 36-vjeçares me kartëmonedha të paracaktuara 10 mijë euro dhe vijon arrestimi i saj. Ajo pritet të dalë para gjykatës nesër, kur do të vendoset edhe trajtimi penal.