DPSHTRR ka bërë njoftimin rikujtues dhe paralajmërues për përdoruesit e rrugëve automobilistike se nuk duhet të kapen në shkelje. Përndryshe, pikët në lejen e tyre të drejtimit do të nisin të “avullojnë” deri në zero dhe pastaj…; autoshkolla nis nga e para.

Pra, kush i konsumon pikët e patentës me shkeje të ndryshme të kodit rrugor, duhet të futet sërish në kurs si herën e parë, për të dhënë provimin e teorisë si me qenë fillestar. Zbatimi i këtyre ndryshimeve të parashikuara në udhëzim do të nisin jo më vonë se 1 qershori. Ja njoftimi përkatës:

“Drejtuesit e mjeteve rrugore që humbin të gjitha pikët e patentës, e cila iu hiqet për shkelje të rënda e të përsëritura, do t’i nënshtrohen kursit nga e para në autoshkollë për të rimarrë sërish lejen e drejtimit. Procedura është e njëjtë me herën e parë.

Fillimisht do t’i drejtohen autoshkollës, në fund të së cilës i nënshtrohen një testi teorie të veçantë. Do të jenë 30 pyetje, të gjitha nga kapitulli i normave të sjelljes, nga i cili do të mund të kalojnë në fazën tjetër jo me katër, por maksimalisht me tri gabime.

Më tej, ndonëse mund të kenë qarkulluar më herët në rrugë, ata do t’i nënshtrohen edhe testit të praktikës pranë DPSHTRR. Ata që duan të ngasin një ciklomotor do të duhet të futen në testim gjithashtu, gjë që më parë nuk nevojitej.

Bëhet fjalë për ciklomotorat, kategoria AM (deri 50 ç, jo mbi 45 km/h), që DPSHTRR shton se ka ardhur si kërkesë e Direktivave EU dhe e Marrëveshjeve të Njohjeve dhe Konvertimit të lejedrejtimeve. Risia tjetër e udhëzimit, që pritet të hyjë në fuqi në 1 qershor, lidhet me autoshkollat.

Ato nuk mund të operojnë me çmime nën një vlerë të caktuar që do ta përcaktojë Drejtoria në fund të çdo viti, pas një koordinimi zyrtar me përfaqësuesit e autoshkollave. Veç vlerës monetare dysheme, edhe materialet didaktike, manualet e përgatitjes teorike dhe praktike, fizike e virtuale, do të unifikohen”.