Ronaldinho po kalon një moment shumë delikat, pas goditjes së fortë që mori pak më shumë se tri javë më parë. Do të jetë pikërisht kjo fundjavë, kur do të mbushet muaji i parë i vdekjes së Miguelina Elói Assis dos Santos, nënës së tij të dashur, mbështetëses më të madhe të karrierës së asit brazilian. Në moshën 71-vjeçare, ajo u nda nga jeta, duke humbur betejën me COVID-19, virus me të cilin ishte prekur qysh dhjetorin e kaluar.

Ish-lojtari i Barcelonës dhe PSG, ndër të tjera, është shkatërruar emocionalisht, por lajmet nga Brazili janë më të këqija se sa pritej. Sipas një personi të afërt me të, fituesi i “Topit të Artë” është zhytur në konsumimin e alkoolit.

“Çdo ditë bëhet tapë. Ronaldinho e fillon ditën duke pirë vodka, uiski dhe xhin, për t’iu kthyer këtij trendi mëngjesin tjetër, – shpjegoi burimi për gazetën “Lance”, megjithëse preferoi të mbetej anonim. – Nuk po i ndodh tani kjo gjë, por vumë re se u bë më intensive pas vdekjes së nënës së tij”.

Ronaldinho po jeton në Porto Alegre pas problemeve ligjore që kishte në Paraguaji, për falsifikimin e dokumenteve, por jo të gjithë ata që i rrinë afër e bëjnë këtë nga dashuria. I njëjti burim denoncon njerëzit e këqij, ndaj të cilëve është i ekspozuar braziliani: “Ai jeton në një fortesë me gjithçka që i nevojitet. Ronaldinho ka një zemër të madhe dhe përpiqet të jetë bujar me miqtë e tij, por jo të gjithë janë të vërtetë. Ata nuk e shohin se po i bën shumë dëm vetes duke pirë kaq shumë alkool”.

Ish-ylli i kombëtares së Brazilit nuk ka ndaluar së postuari mesazhe dashurie dhe afeksioni ndaj nënës së tij përmes rrjeteve sociale: “Më mungon kjo buzëqeshje dhe ky përqafim”, – shkruajti vetëm disa ditë më parë. “Nëna ime ishte frymëzim force dhe gëzimi për të gjithë ata që e njohën. Ajo do të vazhdojnë të ndriçojë me dritën e saj jetën tonë përgjithmonë. Me forcën që ajo na mësoi, ne do të vazhdojmë udhëtimin tonë”, – postoi më herët.