Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka bërë si rrallëherë një rrëfim ndryshe. Në një intervistë për emisionin “Rudina”, kryetarja e Kuvendit ka treguar një anë tjetër të saj, teksa është ndalur te marrëdhënia e veçantë me të atin si dhe te ëndrra që kishte kur ishte shumë e vogël.

Pjesë nga biseda:

Lindita: Jam motra e dy vëllezërve, motra e vogël e dy vëllezërve Arjanit dhe Aleksandrit, por edhe vajza e shumë pritur e dy prindërve, saqë gjyshja gjithmonë tregon se e shikonin me habi babin tim se si një burrë Mirdite gëzohej me lindjen e një ‘cuce’. Babai ka qenë ushtarak.

Unë kam qenë shumë e lidhur me të dy prindërit, veçanërisht me tim atë, e kam pasur model në jetën time. Ka qenë një burrë që ka spikatur për meçurinë, qetësinë, por edhe mënyrën se si u qasej problemeve, duke dhënë shumë nga vetja dhe duke dhënë zgjidhje të çdo problemi.

Rudina: Ka qenë aviator në profesion? Madje ju keni shprehur se keni pasur ëndërr të bëheni aviatore. Ç’u bë me këtë ëndërr?

Lindita: Kam qenë shumë e lidhur më babin dhe thoja do bëhem pilote si babai, që kishte profesionin e tij, por sigurisht ishte një ëndërr fëmije, gjë që mbeti pas. Një ëndërr tjetër e imja ka qenë të bëhesha mjeke, nuk kam dashur të studioj matematikë, por në atë kohë të tjerë vendosnin për ne.