Frutat e verës janë shumë të preferuara nga të gjithë, por kryesisht nga fëmijët. Dhe meqë jemi në këtë periudhë, konsumi i këtyre frutave rritet edhe më tepër nga të vegjëlit, të cilët pëlqejnë shumë të konsumojnë qershitë, pjeshkët, luleshtrydhet, kajsitë etj.

Por pavarësisht kënaqësisë që marrin fëmijët të cilët konsumojnë këto fruta, për nënat është një lajm sa i mirë, aq edhe i keq. Kjo pasi njolla e këtyre frutave në rroba është shumë e vështirë për t’u hequr.

Megjithatë, ka një mënyrë shumë të thjeshtë për t’i hequr këto njolla. Edhe nëse kjo njollë është bërë nga qershitë apo luleshtrydhet, që quhen ndryshe edhe fruta të kuqe.

Por si mund të pastrohen? Ndiqni hapat e mëposhtëm:

Ju nevojiten vetëm dy përbërës për të eliminuar njollat, qumësht dhe limon. Krijoni një përzierje mes qumështit dhe lëngut të limonit. Më pas, merrni një sfungjer të pastër dhe zhyteni në lëngun e përgatitur e më tej fërkoni njollën lehtë.

Shpëlajeni njollën me ujë të ftohtë dhe futeni në 5 litra ujë me një lugë detergjent rrobash. Lëreni përgjatë gjithë natës dhe më pas lajeni në lavatriçe. Rroba juaj do të jetë siç ishte më parë.