Sergio Aguero rezulton pozitiv për koronavirusin. Sulmuesi i Manchester City, siç zbulohet edhe nga Guardiola, ditët e fundit kishte qenë në kontakt të ngushtë me një person, i cili më pas doli se ishte infektuar tashmë. Për këtë arsye, qysh para se të kryente tamponin, ai kishte vendosur të izolohej. Sezoni i Kun, tashmë i kushtëzuar nga dëmtimet, vazhdon të jetë i mallkuar edhe nga Covid-19.

Argjentinasi nuk është parë në fushë që nga paraqitja kalimtare (vetëm 4 minuta) në fitoren 3-1 ndaj Chelsea, më 3 janar. Tani do të jetë e nevojshme një ndalesë e re e detyruar, duke pritur që të vijë negativizimi nga koronavirusi.

“Pas një kontakti të ngushtë, – shkroi Aguero në Twitter, – u izolova dhe prova e fundit që bëra rezultoi pozitive për Covid-19. Kam pasur disa simptoma, jam duke ndjekur urdhrat e mjekut për shërim. Kujdesu për veten tënde”.