Komiteti Teknik i pandemisë së Covid-19 ka shtrënguar masat për popullatën, duke qenë se situata është mjaft alarmante në vendin tonë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përmes një konference të mbajtur së bashku me komitetin e ekspertëve, nënvizoi:

“Jam këtu sot së bashku me një pjesë të Komiteti Teknik të Ekspertëve pas masave të marra nga ana e tyre. Do të doja të sillja në vëmendjen tuaj se sot jemi në një moment sa delikat, po aq edhe të rëndësishëm. Jemi në një situatë që me gjasë edhe prej mutacioneve të reja kemi një shtim të shifrave, kemi një ulje të moshës së të prekurve, edhe si rrjedhojë e relaksimit të sjelljes pas festave të fundvitit.

Kjo ka sjellë edhe një shtim të misioneve të Urgjencës Kombëtare dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në spitale. Komiteti po ndjek me dinamikë të gjithë treguesit epidemiologjikë, dhe nga impakti që kanë pasur masat më herët ka vendosur:

– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, 11 shkurt-25 shkurt.

– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, 11 shkurt-25 shkurt.

– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online në zonat e rriskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt-26 shkurt.

– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet antiCovid”.

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico, shtoi: “Mesatarja e rasteve ditore ka shkuar në 1080. Pavarësisht numrit të rritur të testimeve, kemi një rritje të moshave nga 15-34 vjeç. Shpejtësia me të cilën po përhapet infeksioni dhe të dhënave që kemi nga ISHP na tregojnë se mund të jetë duke qarkulluar mutacioni i ri i Covid. Duhet të jemi të qartë se respektimi i masave, puna online, mësimi përmes internetit dhe të gjitha masat e tjera të nevojshme ndihmojnë në përballimin e kësaj situate”.

Drejtoresha e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, nënvizoi: “Një informacion të shkurtër lidhur me pacientët e shtruar në Covid 1, 3 dhe 4. Kemi një shtim të numrit të rasteve të shtruara në spitale, është shtuar numri i moshave të reja, të cilat kanë shfaqur dhe forma të rënda. Marrja e këtyre masave është e detyruar për shkak të shtimit të numrave. Fluksi është ende e përballueshme, por popullata shqiptare mund t’i përgjigjet stërmundimit të mjekëve. Do të punojmë me çdo kusht, deri në pacientin e fundit, por qytetarët duhet të na mirëkuptojnë ne”.