Rinovimi i Sergio Ramos po kthehet në një luftë nervash mes kapitenit dhe Real Madridit. Mesazhe nga secila palë për ta përshkruar situatën e një rinovimi, që ka ngritur shumë pikëpyetje. Real Madridi ka dërguar mesazhin se ofron për Sergio Ramos rinovim me dy vite, aq sa lojtari kërkon, me pagën e tij aktuale, 12 milion euro, por me ulje për shkak të koronavirusit. Një ulje që shkon deri në 20%, duke llogaritur atë të sezonit të fundit dhe atij aktual. Një ofertë që, sipas klubit, Ramos tashmë e di.

Sidoqoftë, mjedisi i kapitenit siguron se ai nuk di asgjë për ofertën që klubi thotë se ia ka paraqitur tashmë lojtarit. Futbollisti, sipas asaj që theksojnë, kërkon dëmshpërblim financiar për atë prerje page për shkak të koronavirusit. Sergio Ramos do të pranonte ato dy vite që Real Madridi i ka ofruar për rinovim, nisur nga mosha e tij, 34 vjeç, teksa të tjerëve mbi 30 vjeç iu ofrohet rinovim vetëm me një sezon.

Ndërsa mesazhet që filtrohen në media, edhe rrjetet sociale, flasin për një “luftë” nervash mes palëve. René Ramos, agjent dhe vëlla i Sergio Ramos, ndau një mesazh në Twitter, duke kritikuar faktin që Real Madridi nuk ka rinovuar ende me kapitenin. Më pas, vetë lojtari, menjëherë vendosi një foto në Instagramin e tij, duke rregulluar shiritin e kapitenit të Real Madridit. Një foto që shumë e shohin si mesazh nga Ramos, që tregon gatishmërinë për të rinovuar. Një mesazh publik për klubin.

Sido që të jetë, Real Madridi nuk ka qenë shumë i kënaqur me atë që bëri René Ramos, duke ndarë një mesazh kritik mbi qëndrimin e klubit për këtë çështje. Madje, po merr masa për situatën më të keq. Emri i Alaba shfaqet si një objektiv për të forcuar mbrojtjen e bardhë në verë.

Thashethemet e fundit sugjerojnë se, pas këtyre festave, do të ketë një samit midis Florentino Pérez dhe Sergio Ramos për të diskutuar rinovimin e kapitenit. Ndërkohë, shumë ekipe në Europë janë të vëmendshme ndaj gjithçkaje që ndodh në këtë luftë nervash.