Edhe pse prej disa vitesh, ai nuk është më pjesë e ekranit shqiptar si aktor humori, pasi ka vendosur të vijojë karrierën e tij larg kësaj fushe e t’i futet politikës, Erion Isai vijon të mbetet një person që gëzon shumë simpati nga publiku shqiptar.

Erioni sot është kryetar i një prej bashkive të vendit, Bashkisë së Kolonjës, teksa duket se ai i është përkushtuar punës me kohë të plotë, e këtë gjë na e vërteton edhe partnerja e tij në një video-call me Aldon, në programin e mëngjesit, “Aldo Morning Show”.

Tema e sotme ishte se kush sakrifikon më shumë, mashkulli apo femra, teksa bashkëshortja e Erionit, Ajlin, e cila me profesion është regjisore tha se ka gjetur së fundmi kohën t’i kushtohet karrierës pasi thotë se ka 12 vite që është ajo e cila sakrifikon në marrëdhënien e tyre.

Sipas asaj që deklaron Ajlin, Erioni ka sakrifikuar vetëm 2 muaj, pikërisht këtë periudhë që ajo po merret me shfaqjen dhe ai kujdeset për vajzat, teksa tregoi edhe se ajo ka sakrifikuar karrierën e saj në mënyrë që Erioni të bënte karrierë.

Nga eksperienca ime personale në 12 vite bashkjetesë me Erionin, kam sakrifikuar unë,  absolut. Kam sakrifikuar unë dhe në këto 12 vite Erioni ka sakrifikuar vetëm 2 muaj të jetës së tij, këto dy muaj që unë kam punuar për shfaqjen.

Kam sakrifikuar karrierën time për të bërë Erioni karrierë duke qenë që në Shqipëri është gjithmonë teoria që meshkujt ecin më shpejt se femrat, duke qenë se unë ngela shtatzënë në vitet që mund të bëja karrierën time dhe solla në jetë vajzën e parë, jam shumë e lumtur për këtë, nuk jam e penduar fare, domethënë dy vajzat e mia janë kulmi i karrierës time” – tregoi Ajlin Petrela në emisionin e mëngjesit, “Aldo Morning Show.