Mike të mira në pamje të parë, të tmerrshme në prapaskenë. Po flasim për Spice Girls. Kjo u zbulua nga Mel C, e cila në autobiografinë e saj “Who I Am: My Story” pranoi se është keqtrajtuar nga Mel B kur grupi ishte në kulmin e suksesit.

“Ndoshta ka pasur një përplasje personalitetesh sepse sa më e sjellshme isha, aq më shumë e acaronte kjo gjë atë”, tha këngëtarja për The Sunday Times.

Një nga momentet më të trazuara në lidhjen e tyre ishte gjatë një udhëtimi në Los Angeles, kur në kulmin e një debati të ashpër ato u ndanë nga Geri Halliwell.

“Ne u kthyem në lokal dhe padyshim ishte një nga ato netët kur kishte shumë për të pirë. Geri u përpoq të na pajtonte, na mori mënjanë, por në fund u godit me grusht në fytyrë”, tha Mel C.

Tashmë grindjet e viteve nëntëdhjetë i përkasin së shkuarës dhe të pesta janë në dashuri dhe harmoni. Kjo dëshmohet nga vetë Mel C, që ishte e ftuar në dasmën e Brooklyn Beckham, djalit të madh të Victoria.

“Ne e duam njëra-tjetrën nga thellësia e zemrës, edhe nëse ndonjëherë kemi dashur ta vrisnim njëra-tjetrën. Ne të pestë e dimë se individualisht nuk do ta kishim arritur kurrë atë që bëmë së bashku dhe i jemi mirënjohës njëra-tjetrës për këtë”, tha Mel C “Daily Mail”.

“Kur jemi bashkë mund të bëhemi fëmijë dhe sigurisht që e çmendim njëra-tjetrën. Ka ende raste kur gjërat shpërthejnë, por gjithçka zgjidhet shpejt,” pranoi Sporty Spice.

“Ne kurrë nuk luftojmë vërtet, i japim vetes hapësirën që na nevojitet. Mund të duket e tepërt, por ne nuk jemi thjesht kolege apo mike, ne jemi një familje”.