“Stade de France” që ndodhet në zonën e Seine-Saint Denis, stadiumi më i madh në Francë dhe ku zakonisht luan kombëtarja franceze e futbollit, ka hapur dyert dhe është transformuar në një qendër masive të vaksinimit të popullsisë.

Stadiumi ndodhet në hyrje të Parisit dhe objektivi është që brenda një jave të kryhen mbi 10 mijë vaksinime. Me hapjen e një hapësire kaq të madhe të vaksinimit të popullsisë qeveria shpreson të shtojë ritmet e fushatës anti-Covid.

Ndërkohë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u shpreh se nuk do të ndryshojë masat e vëna për një karantinë totale të të gjithë vendit deri në fund të muajit prill. Ai shtoi se masat e vendosura do të zbatohen, për të rinisur nga maji me një hapje graduale.