Operatori më i madh i kujdesit shëndetësor në Izrael raportoi të dielën rënie me 94% të infeksioneve simptomatike nga Covid-19 te 600.000 persona që kanë marrë dy doza vaksinash të Pfizer. Ky është rezultati i studimit më të madh, i bërë në vend deri më sot.

Organizata e ruajtjes së shëndetit (HMO) Clalit, që mbulon më shumë se gjysmën e izraelitëve, tha se i njëjti grup kishte edhe 92% më pak gjasa për të pasur sëmundje të rënda nga virusi. Krahasimi u bë me një grup, me të njëjtën madhësi, me histori sëmundjesh të njëjta, që nuk i kishte marrë dozat e vaksinës.

“Pa diskutim, kjo tregon se vaksina e Pfizer kundër koronavirusit është jashtëzakonisht efektive një javë pas dozës së tyre, pikërisht siç është parë në studimin klinik” – u shpreh Ran Balicer, drejtues i inovacionit në Clalit. Ai shtoi se të dhënat tregojnë se vaksina Pfizer, e cila është zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë gjermane BioNTech, është edhe më efikase dy javë apo më shumë pas dozës së dytë.

Kërkuesit e Weizmann Institute of Science, të cilët përpiluan të dhënat kombëtare thanë të dielën se një rënie të fortë e të shtruarve në spital dhe sëmundjeve serioze të identifikuara më herët në mesin personave të vaksinuar,  të moshës 60 vjeç ose më shumë – u pa për herë të parë në ata të moshës 55 vjeç e lart.

Shtrimet në spital dhe sëmundjet e rënda ishin ende në rritje te grupet e të rinjve që nisën vaksinimin javë më vonë. Izraeli ka kryer një shpërndarje të shpejtë të vaksinës dhe baza e tij e të dhënave ofron informacione për efektivitetin e vaksinave dhe në cilën pikë vendet mund të arrijnë imunitetin e tufës.