Pandemia Covid-19 ndryshoi tërësisht botën dhe sot vijojmë ende të vuajmë pasojat e saj. Pasoja jo vetëm në humbjen e miliona personave por edhe në shëndetin mendor.

Sipas një studimi të Mareike Ernst, psikologe në universitetin gjerman të Mainz dhe publikuar në revistën “American Psychologist”, vetmia është një tjetër pasojë e pandemisë. Në publikimin e Ernst përfshihen 34 studime nga katër kontinente dhe janë anketuar në total 200 mijë pacientë.

Studimi ka bërë edhe një ballafaqim të vetmisë para dhe pas pandemisë. Dhe, rezultati që ka dalë është se niveli i vetmisë është rritur me 5% gjatë pandemisë. Një e dhënë që do të analizohet në vijim edhe më në detaj nga mjekët përkatës.

Edhe “British Medical Journal” ka lëshuar alarmin e rritjes së shifrave të vetmisë. Në vendet e zhvilluara, një në 3 persona ndihet i vetmuar dhe 1 në 12 persona vuan në mënyrë të rëndë nga vetmia. Madje duke marrë mjekime.

Sipas Ernst, impakti i vetmisë në shëndetin fizik e atë mendor është i rëndësishëm, pasi ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të personave. Sidomos pas pandemisë, duke parë shifrat e rritjes së ankthit dhe vetmisë prej Covid-19, mjekët kërkojnë një vëmendje më të madhe ndaj njerëzve.